Skip to content

Maqedonia e Veriut shpall një diplomat rus non grata

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ka shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse.

Në njoftimin e bërë nga ministria, thuhet se diplomati rus është shpallur si person i padëshiruar “në pajtim me nenin 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.

“Në këtë drejtim, më 14 maj 2021, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur Ambasadori i Federatës Ruse, me ç’rast i është dorëzuar notë me të cilën kërkohet që diplomati i apostrofuar të lëshojë territorin e Maqedonisë së Veriut në një afat prej shtatë ditësh”, thuhet në njoftim.

Ministria nuk e ka bërë të ditur shkakun e këtij vendimi.

Maqedonia e Veriut edhe në vitin 2018 kishte vendosur të dëbonte një diplomat rus, në shenjë solidarizimi me Mbretërinë e Bashkuar dhe me partnerët e vendit në NATO dhe BE, të cilët po ashtu dëbuan diplomatë rusë nga vendet e tyre, pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal në Salisbury të Anglisë, vepër për të cilën Londra akuzoi Rusinë duke pretenduar se është përdorur helmi nervor Novichok, të cilin forcat sovjetike e kanë përdorur në Luftën e Dytë Botërore. (Anadolu Agency – AA)