Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, e cila është zgjedhur pas propozimit të Partisë Demokratike, duke shpjeguar raportin për rastet e dyshimta për votim të dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës, sqaroi se një pjesë e mirë e rasteve ishin kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI për të qartësuar votuesin sesi bëhet votimi.
Znj. Pelinku e cila ka menaxhuar të gjithë sistemin ka nënvizuar se për 2 rastet kur personat janë shfaqur në dy qendra të ndryshme, e ka kryer në të dyja rastet identifikimin biometrik.
Pajisja ka pasur mundësinë që personat e administratës zgjedhore të kishin emrin në të gjitha qendrat e votimit.
“Ne supozojmë që ka qenë pjesë e administratës zgjedhore, që ka kryer identifikimin biometrik në qendrën ku ka qenë caktuar ditën e votimit dhe më pas ka shkuar në qebdrën e vet të votimit për të votuar”, ka thënë Pelinku.
“Të dhënat që ju dhanë juve janë thjesht të dhënat për identifikimin biometrik. Kjo nuk vërteton që personi ka votuar 2 herë. Sistemi të ndalon që me të njëjtën kartë identiteti të paraqitesh 2 herë”, sqaroi ajo.
Prej disa ditësh, PD e LSI, duke sjellë dy raste nga Gjirokastra e Berati, pretendojnë se ka pasur votim të shumëfishtë nga një person, gjë që është rrëzuar nga vetë përfaqësuesja e PD.
Kjo, pasi në rastet që pretendon opozita, kemi të bëjmë thjesht me çështje teknike, jo me votim.
Vetë përfaqësuesja e PD e ka sqaruar shumë mirë këtë gjë.