Skip to content

Katari kërkon unitet palestinez përballë Izraelit

Emiri i Katarit Shejh Tamim bin Hamad Al Thani, në një bisedë telefonike me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas, tha se Katari, së bashku me kombet e tjera, do të bëjnë përpjekje për të ndaluar sulmet izraelite ndaj palestinezëve dhe Xhamisë Al-Aqsa, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve QNA.

Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit i ndërmjetësuar me ndihmën e Egjiptit hyri në fuqi të premten pas njëmbëdhjetë ditësh sulmi.

Abbas informoi emirin mbi armëpushimin e vazhdueshëm dhe “përpjekjet për të rindërtuar Rripin e Gazës, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij të sinqertë” për rolin e Katarit dhe përpjekjet e tij për të mbështetur popullin Palestinez për “të fituar të drejtat e tij legjitime”.

Emiri i Katarit theksoi “rëndësinë e unitetit” midis palestinezëve. Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e tij për “popullin vëllazëror palestinez dhe çështjen e tij të drejtë” dhe premtoi të vazhdojë përpjekjet me vendet arabe dhe myslimane “për të ndaluar sulmet izraelite ndaj popullit palestinez dhe xhamisë së bekuar Al-Aqsa”, tha agjencia.

Të paktën 248 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë, u vranë gjatë bombardimeve izraelite të Gazës, ndërsa territori tashmë i varfëruar u shkatërrua më tej.

Sulmet izraelite në Gaza goditën dhe Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe të Qatarit (QRCS), duke vrarë dy palestinezë dhe duke plagosur 10 të tjerë.

Organizata dënoi sulmin, duke theksuar se ekipet e shpëtimit duhet të punojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Sulmet ajrore izraelite shkatërruan gjithashtu një ndërtesë që strehonte zyrat e mediave botërore, duke përfshirë Al Jazeera dhe AP, me pretekstin se Hamas ishte gjithashtu në objekt, megjithëse nuk u dha asnjë provë.