Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se situata në kufirin Azerbajxhan-Armeni duhet të zgjidhet me rrugë paqësore.
Pas një takimi në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, Zarif dhe ministri i Jashtëm i Armenisë, Ara Aivazian, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Lidhur me ngjarjet e përjetuara mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Zarif tha se “Vdekja e njerëzve në çdo tension është shqetësuese. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë me rrugë paqësore”.
Zarif rikujtoi që dje zhvilloi një takim me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe tha se “Shikova që Aliyev ishte i gatshëm për dialog dhe uljen e nivelit të tensionit”.
Më tej Zarif shtoi se janë të gatshëm për të ndërmarrë iniciativa që çështja e kufirit të zgjidhet nëpërmjet rrugës paqësore.
Ministri i Jashtëm i Armenisë, Ara Aivazian, vuri në dukje se janë pro që situata në kufirin Azerbajxhan-Armeni të zgjidhet me mënyra politike dhe diplomatike.
– Zhvillimet në kufirin Azerbajxhan-Armeni
Mes dy vendeve u shkaktua tension pasi ushtria e Azerbajxhanit u vendos në disa pozicione në kufirin me Armeninë në rajonet Kalbajar dhe Lachin të çliruara nga pushtimi armen.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, për disa rajone ku është vendosur ushtria e Azerbajxhanit pretendoi se janë territore të Armenisë dhe lidhur me çështjen mori vendimin që të aplikojë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive.
