Skip to content

Prokuroria hap dosjen e “21 janarit”, nisin hetimet për çështjen

Prokuroria e Tiranës ka rihapur çështjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, të ekzekutuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me datë 21 janar 2011 nga qeveria Berisha e cila hapi zjarr ndaj protestuesve.

Mësohet se çështja është regjistruar në prokurori  prej 1 muaj dhe hetimi po vijon me veprime konkrete.

Hetimi për vrasjen e Nikës, një nga 4 viktimat e 10 viteve më parë, ishte pezulluar pasi sipas organeve të drejtësisë së asaj kohe, nuk kishte asnjë autor të dyshuar për të.

Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, hapi zjarr ndaj protestuesve duke mos llogaritur se ku shkonin plumbat.

I pari që ka humbur jetën ka qenë Hekuran Deda, i cili është qëlluar ndërsa ndodhej në një tavolinë të vendosur nga kameramanët e mediave në anën e bulevardit, përpara Piramidës.

Pas tij është qëlluar Ziver Veizi, i vrarë në vijë diagonale me Kryeministrinë, para portës së hekurt të këtij institucioni.

Viktima e tretë është Faik Myrtaj, nga Fieri, i vrarë në hyrje të rrugicës mes Kullave dhe Gjykatës Kushtetuese.

Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Ndërkohë, pjesa tjetër mori dekorata dhe shpërblime të majme nga Sali Berisha i cili ndërhyri në procesin hetimor duke ofruar mbrojtje politike për çdokënd që thërriste prokuroria. (TemA)