Skip to content

Një çati e përbashkët për muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë

 

 

Në Berlin tashmë është vendosur guri themeltar për një godinë të besimit, që do të jetë krejt ndryshe nga të gjitha objektet e tjera të kultit. Godina në fjalë do të quhet “House of One” dhe do të jetë një ndërtesë e përbashkët që do të shërbejë si xhami, kishë dhe sinagogë për të trija besimet kryesore fetare në botë. Muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë do të mund të gjejnë në të njëjtën ndërtesë një vend ku mund të ushtrojnë besimin e tyre.

Prej mëse 10 vitesh u punua për këtë projekt në kryeqytetin e Gjermanisë dhe falë bashkëpunimit të përfaqësuesve të tre religjioneve, tashmë puna ka nisur.

Deutche Welle i ka kushtuar një artikull këtij rasti krejt të veçantë. Kryebashkiaku i Berlinit Michael Muller u shpreh se projekti është i jashtëzakonshëm dhe një shtëpi unikale me të cilën përfaqësuesit e besimeve fetare në kryeqytet “po krijojnë modelin e një bashkëjetese paqësore në botë”.

Mbi ndërtesën ka patur donacione nga e gjithë bota, ndërsa qeveria gjermane ka dhënë 20 milionë euro e landi i Berlinit 10 mln euro. Në eveniment ishte dhe Presidenti i Bundestagut gjerman Wolfgang Schäuble, i cili theksin e vuri tek fakti se idenë për një çati të përbashkët, e kanë patur e konceptuar vetë përfaqësuesit e religjioneve.

Dhe së fundmi, me përfundimin e kësaj shtëpie, jepet dhe një mesazh i qartë për paqen dhe dhënien fund të konflikteve që e gjejnë burimin në urrejtje