Florenc Çapja mësohet se është arrestuar në Dubai të Emirateve të Bashkuara. I njohur si një nga të fortët e Elbasanit,
Çapja është arrestuar vetëm një muaj pasi u largua nga Shqipëria në mënyrë enigmatike, ditën që u arrestuar vëllai i tij, Ardian Çapja.
Florenc dhe Ardian Çapja akuzohen për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir, në vitin 2012.
Ndërsa Ardian Çapja u arrestua në fillim të muajit prillit gjatë operacionit “Krasta 2021” për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, në kërkim për të njëjtën ngjarje u vendos edhe Florenc Çapja.
Të dy këta shtetas akuzohen nga prokuroria si porositës dhe organizator të vrasjes, që dyshohet se është pasojë e një vargu hakmarrjesh në Elbasan.
Hetimet për ngjarjen u rihapën në vitin 2018 nga disa të dhëna të mbërritura në Policinë e Shtetit, ndërsa prova më e fortë e Prokurorisë së Elbasanit është dëshmia e Ervis Bardhit, i konsideruar si ekzekutuesi fizik i Gentian Beqirit në apartamentin e tij.
Bardhi, pasi u zbulua nga shenja e gishtit në targën e makinës së përdorur për vrasjen, zgjodhi të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar detaje.
Dëshmia e Bardhit u konsiderua e besueshme nga Prokuroria, teksa ai ka treguar me detaje mënyrën e vrasjes dhe faktin që ka marr 50 mijë euro për vrasjen.
