

Një krim në familje që dyshohet të jetë kryer të premten ose të shtunën. Ekspertiza mjeko ligjore do ta zbulojë këtë detaj, por fakti është se policia e zbuloi ngjarjen kriminale vetëm mbrëmjen e djeshme. Pas marrjes së një telefonate nga mikja e viktimës, autoritetet kanë shkuar në banesën e familjes Vukaj, për të gjetur të pajetë në dhomën e saj 58 vjeçaren Diana Vukaj.
Ajo ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. Në kërkimet brenda banesës, policia gjen një sërë shishesh alkooli, të gjitha të konsumuara. Me vijimin e kërkimeve përreth shtëpisë, autoritetet gjejnë në gjendje të dehur Fabian Vukajn, vëllain e viktimës. Ky i fundit dyshohet të jetë dhe autori i vrasjes së të motrës, e kthyer para disa ditësh nga Gjermania.
Këtë të hënë Diana do të festonte ditëlindjen. Ajo e ndihmonte vazhdimisht të vëllanë me para, pasi ky i fundit ishte futur në borxhe për shkak të bixhozit e konsumit të alkoolit. Sherri besohet t’i ketë rrënjët në konfliket për pronësinë, por do të jenë hetimet ato që do të hedhin dritë të plotë mbi motivet që e kanë shtyrë Fabianin t’i marri jetën të motrës. Policia beson se krimi në familje ka ardhur nga dora e Fabianit, i cili mund të ketë qenë i dehur në momentin kur ka qëlluar mbi të motrën.
Mbrëmjen e djeshme, pas zbulimit të krimit, shefi i komisariatit Shkodër Paulin Çupi, dha detajet paraprake të ngjarjes, një krim i rëndë në familje.
“Rreth orës 22:30 të natës së sotme, është marrë një telefonatë që Diana Vukaj ka dy ditë që ka humbur kontaktet me të afërmit e saj. Verifikimi i parë u bë në banesën e saj, ku u gjet e pajetë, rreth 60 vjeçe.
Është ushtruar kontroll në territorin e shtëpisë dhe rrethinat, ku është ndaluar vëllai i saj, rreth 56 vjeç. Mendohet se kemi të bëjmë me krim brenda familjes. Ngjarja është e rëndë, po kryhen veprimet proceduriale. Diana Vukaj ka qenë në Gjermani dhe prej 3-4 ditësh ishte kthyer në banesë. Vrasja është kryer me armë zjarri, janë siguruar një pjesë e mirë e provave dhe po punojmë sërish për të marrë informacion.
Kufoma ndodhej brenda në banesë, brenda në dhomën e saj. Autori i dyshuar është në kushte depresioni, në gjendjen e alkoolit”.
