Skip to content

Së shpejti FBI “zbarkon” në Durrës, hetuesit e BKH, 1 javë trajnim në itali

Grupi i parë i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka nisur trajnimin në Itali. Në pamjet e publikuara nga mediat italiane shfaqet drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj dhe kreu i SPAK, Arben Kraja, të cilët priten nga drejtues të lartë të DIA-s, antimafias italiane që organizon këtë trajnim.

Gjithashtu edhe Ambasada italiane ka publikuar foto, ku shpjegon se 27 hetuesit shqiptarë do të qëndrojnë për një javë atje dhe përpos trajnimit përspecifikat e hetimit, do të vizitojnë edhe disa ambiente, ku punojnë hetuesit italianë.

Në raportimin e fund majit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK, Arben Kraja dha detaje për strukturën e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkaq, burime të sigurta pranë SPAK konfirmuan për A2CNN se sapo 27 hetuesit e BKH-së të kthehen nga Italia, do të nisë edhe procesi i madh i trajnimit nga vetë Byroja Federale e Hetimit.

Mësohet se përgjatë një muaji ekspertët e FBI-së do të mbërrijnë në Durrës, ku do të trajnojnë për njëmuaj hetuesit shqiptarë të BKH-së.

Referuar edhe fjalës së Krajës, rezulton se pas këtij trajnimi, hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë gati për të nisur punën në gusht, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, ku priten edhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar,korrupsionit dhe veprave të tjera penale, për të cilat janë ngarkuar këto struktura të reja të drejtësisë.