Skip to content

“Presidenti duhet falenderuar publikisht sepse …”, Petrit Vasili për shkarkimin e Metës: 120 maskarenj shënuan ditën më të zezë të parlamentarizmit

Zv/Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka qenë i ftuar këtë të premte në Fax News për të folur mbi vendimin e Parlamentit, i cili shkarkoi dy ditë më parë Presidentin e vendit, Ilir Meta.

Vasili nuk i ka kursyer kritikat e forta ndaj deputetëve aktualë, të cilët i quajti 120 maskarenj dhe të cilët i akuzoi se kanë shënuar ditën më të zezë të parlamentarizmit.

“Nuk pata asnjë surprizë nga ajo që ndodhi, sepse ky parlament battakçijsh, që varfëron shqiptarët, nuk e ka problem fare të bëjë një votim të çmendur. Rikthyen nenin që dënon njerëzirt për opinionet apo mendimet që ata kanë. Nuk ishin të zotë të artikulonin qoftë një shkelje të vetme të Presidentit, por ishin të merakosur se Rama ishte i shqetësuar ngaqë Meta ka mbrojtur votën. Nuk kishin asnjë dekret gabim të Presidentit, por morën deklaratat. Në rast se do të shihnit deklaratat e Ramës, do të kuptonit që fjalët e ndyra në politikën shqiptare i ka futur për fat të keq Edi Rama. Me pak fjalë, dje këta 120 maskarenj shënuan ditën më të zezë për sa i përket parlamentarizimit që ka marrë një damkë shumë të zezë. Këtyre bagëtive Edi Rama i kishte hedhur një kockë për ta lëpirë si budallinj”, tha Vasili.

Nga ana tjetër, Vasili jo vetëm që e përjashton mundësinë që Presidenti duhej të shkarkohej për retorikën e tij para zgjedhjeve, por ai shkon më tej duke u shprehur se Meta duhet falenderuar publikisht që pati ndjeshmëri të lartë për mbrojtjen e votës.

“Unë besoj që konferenca e Metës kishte një  thelb krejt tjetër. Çdo shqetësim që Presidneti pati u vërtetua. E gjithë retorika e Presidentit provoi që Presidenti duhet falenderuar publikisht që pati ndjeshmëri të lartë ndaj këtyre veprimeve. I kishte besdizur që ai ishte kundër krimit në zgjedhje. Çdo lloj retorike ishte shumë pak përballë krimit”, deklaroi Vasili.

Në fund Vasili u pyet edhe për atë që opozita e quan masakër zgjedhore. Ai renditi disa fakte sipa tij që e vërtetojnë këtë, si përdorimi i të dhënave të 910 mijë shqiptarëve, përdorimi i patronazhistëve apo shpërdorimi i fondeve në fushatë.

“910 mijë të dhëna personale që jane evidentuar si shkelje madhore që prekën zgjedhjet. Shpërdorimi i shtetit, me patronazhistët që kishin paratë e ndara për çdo person. Vetëm këto dy fakte dhe nuk po marr fondet e shpërdoruara, apo dhe kërcenimet ndaj bizneseve dhe televizioneve. Është po ky Edi Rama që i tha policëve të heqin kapelet, i cili flet për retorikën e Presidentit. Kjo qeverisje po zhduk çdo lloj lirie”, përfundoi Vasili.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb