Jordania paralajmëroi Izraelin për hapat e tij provokative në Kudsin Lindor nën pushtim dhe i kërkoi që të ndalë sulmet kundër palestinezëve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme jordaneze, Daifallah Al-Fayez, në një deklaratë me shkrim dënoi sulmin e policisë izraelite ndaj palestinezëve që falën namazin e akshamit përpara Portës së Damaskut në zonën e qytetit të vjetër në Kudsin Lindor.
“Këto hapa shkaktojnë dhunë dhe përshkallëzimin e tensionit”, ka theksuar Al-Fayez duke paralajmëruar për pasojat e “marshimit të flamurit” që izraelitët e ekstremit të djathtë do të zhvillojnë me 15 qershor dhe i cili pritet që të shkaktojë tensione në Kuds.
AL-Fayez kërkoi nga administrata izraelite që të ndalë të gjithë këto hapa të tillë në Kuds dhe në territoret e tjera palestineze nën pushtim dhe të respektojë historinë dhe statusin ligjor të qytetit të shenjtë.
Policia izraelite mbrëmë sulmoi me shkopinj gome palestinezët që falën namazin e akshamit përpara Portës së Damaskut në zonën e qytetit të vjetër në Kudsin Lindor në pushtim.
Në një deklaratë me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ishte theksuar se policia izraelite plagosi 10 persona në ngjarjet e shënuara në Portën e Damaskut.
Itamar Ben-Gvir, deputeti i ekstremit të djathtë që njihet me afërsinë me kryeministrin Benjamin Netanyahu, rriti tensionin në rajon pasi kërkoi që të bëjë sot një deklaratë për shtyp përpara Portës së Damaskut që ndodhet në zonën e qytetit të vjetër.
Policia izraelite ndërhyri me bomba zëri ndaj palestinezëve që reaguan ndaj përpjekjes provokative të Ben-Gvir dhe arrestoi shumë persona përfshirë edhe fëmijë.
