Lulzim Basha duket se në këto momente i ka të gjithë kundër.
Përveç tre kandidatëve që duan t’i marrin drejtimin e partisë, Sali Berishës, që po ashtu e kërcënon se do t’i marrë drejtimin e PD-së, nëse nuk e mbron nga SHBA, Ambasadës amerikane dhe mediave ndërkombëtare, që e kanë bojkotuar pasi nuk është distancuar nga Berisha, tani Basha duhet të bëjë llogaritë edhe me Ilir Metën.
Ky i fundit e ka akuzuar atë, se e nxorri në pritë për t’u shkarkuar nga PS, duke qenë se braktisi Kuvendin.
Meta, për të mos e personalizuar pakënaqësinë me Lulzim Bashën, tha se përgjegjës për shkarkimin e tij, është edhe LSI, përveç PD-së, pasi dorëzuan mandatet.
“Nuk ekziston më një Kuvend, ai nuk ka ekzistuar asnjë sekond të vetme!
Ai Kuvend është turpi i të gjithë atyre që e krijuan me atë që ka ndodhur kur unë kam qenë në Gjermani.
Është Kuvendi i faqes së zezë së Shqipërisë dhe i faqes së zezë të atyre që e nxorrën edhe presidentin e Republikës në pritë.
E lanë pa asnjë mbrojte presidentin”, tha ai.
Por kuptohet që përgjegjësia bie mbi Lulzim Bashën, pasi pas zgjedhjeve të 25 prillit, Monika Kryemadhi doli e tha se vendimi për djegien e mandateve u mor nga Lulzim Basha.
Ajo kërkoi falje e tha se ky ishte një gabim i madh.
I vetmi që s’ka kërkuar falje për atë vendim vrastar për opozitën, është pikërisht Lulzim Basha.
Kuptohet, ai atë vendim e ka marrë nën nxitjen e Sali Berishës, që tani del e thotë se nuk kishte lidhje me atë vendim.
Por përgjegjësia bie pikërisht mbi Lulzim Bashën, që tani, përveç Berishës, duhet të bëjë llogaritë edhe me Ilir Metën, i cili, në rast të konfirmimit të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese në shtator, me shumë mundësi do të kërkojë të marrë drejtimin e opozitës.
Dhe nuk është çudi, që me ndihmën e Sali Berishës, të shkrijnë në një LSI-në e PD-në, për të drejtuar një opozitë, e cila më shumë se ardhjen në pushtet, do të ketë si qëllim mbrojtjen e familjeve Meta e Berisha nga ndëshkimi amerikan.
Gjë që Lulzim Basha nuk ua siguron dot.
(TemA)
