Këtu jemi në Vranisht të Vlorës.

Në në këtë zonë malore e ka çuar të gjithë jetën ky burrë, Limet Limaj. 84 vjeari së bashku me të shoqen Isaten, jetojnë përmes blegtorisë. Një jetë e qetë, aspak e ngjashme me ‘zhuzhurimat’ në qytet.

Tch i ka rezervuar një kronikë 84 vjeçarit, i cili pavarësisht moshës udhëton çdo ditë 30 deri në 40 kilometra. Ngjitet në këtë majë mali dhe kullot bagëtinë.

Limet Limaj: Ngrihem në orën 4. I nxjerr dhitë, i mjell dhe vete në baxho. Pastaj shkoj në mal. Ja shikojë atë majë. Prej atje shoh Himarën, Vunoin e Dhërmiun.

Pavarësisht distancave dhe ‘pjerrtësisë’, i moshuari thotë se nuk ka ndërmend t’i braktisë punët e përditshme. Do të punojë përderisa të ketë forcë dhe pavarësisht se deri më sot, i ka kryer 5 operacione në trup.

“Nuk e kam problem sepse këtë punë kam patur fundja. 5 thika kam bërë në bark, por iki atje në majë.”-thotë i moshuari.

Ndërkohë e shoqja, e cila e ka kthyer rrëzën e malit në tokë bujqësore, kultivon perime e fruta.

Isate: Jeta jonë… kemi patur një marrëveshje mes nesh, nuk kemi debatuar asnjëherë. Ne kemi kaluar një jetë mesatare, si shumë të tjerë, as me shumë e as me pak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re