Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar sot në parlament për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2020, duke sjellë shifra nga kallëzimet, procedimet, veprat penale më të shpeshta në Shqipëri, si dhe ndryshimin e tyre në krahasim me një vit më parë.
Çela tha se prokuroria ka trajtuar mbi 58 mijë materiale kallëzimi, teksa vjedhja e pasurisë ka numrin më të lartë të veprave penale.
“Mbi 44 mijë procedime penale. Në 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria e Tiranës e ndjekur nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Elbasanit.
78.24% e procedimeve penale i përkasin krimeve.
Vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të veprave penale, ulje me 10% në krahasim me një vit më parë. Veprat penale të kanosjes mbi 90 të pushuara”, tha ndër të tjera Çela.