Nga Sali Shasivari
I.Mbi ‘fillimin e dialogut’ Kosovë – Serbi
Për të gjithë ata të cilët mund të habiten nga togfjalëshi ‘fillim i dialogut’ Kosovë – Serbi (kur dihet se një proces i këtillë ka filluar rreth dhjetë vite më parë), them:
– Nëse e kemi parasysh definicionin e procesit ‘dialog’, i cili nënkupton shkëmbim të hapur të ideve, e jo heqje dorë nga parimet;
– Nëse e kemi parasysh rëndësinë e participimit të dy palëve – në proces të dialogut – nga pozita e barabartë;
– Duke marë parasysh elementin kyç në çdo proces të ‘dialogimit’, i cili dikton që, një proces i këtillë të jetë parimor, e jo lëvizje taktike;
– Nëse e kuptojmë mirëfilli dallimin në mes ‘dialogut’, ‘negociatave’ dhe ‘kompromisit’; …
Nëse i kemi parasysh këto elemente kyçe dalluese, si dhe shumë e shumë elemente tjera të cilat e karakterizojnë ‘dialogun’ si proces…; atëherë, do ta kuptojmë mirëfilli se, ajo që është zhvilluar përgjatë sorrollatjeve të dhjetë viteve të kaluara, ka qenë gjithçka tjetër, përpos ‘dialogut’…!
Është e vërtetë se dialogjet politike zakonisht përfundojnë me kompromise, mirëpo, këto kompromise duhet të jenë të llojit ‘win-win’ (ku dy palët nuk janë as fitues absolut, e as humbës absolut). Përndryshe, kur dialogjet fillojnë që në start me kompromise, ato, ose dështojnë, ose mbarojnë me ‘fitues absolut’ dhe ‘humbës absolut’!
Në saje të kësaj, del në pah rëndësia e ‘pozitave të barabarta’, ‘dialogut parimor’, ‘reciprocitetit’, etj.; dhe, në saje të kësaj, kuptojmë se, ‘dialogu’ Kosovë-Serbi tash sa ka filluar…!
II. Mbi ‘Albin Kurtin’
Për të gjithë ata të cilët mund të habiten nga futja e emrit të Kryeministrit kosovar Albin Kurti në mes thonjëzave, them:
– E futa në thonjza, ngase, në këtë kontekst, nuk flas për person, por flas për fenomen;
– Në këtë rast, nuk kam për qëllim Albin Kurtin si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por, kam për qëllim Albin Kurtin si Kryeministër i Kosovës, i cili i fitoi zgjedhjet në mënyrë plebishitare;
– Ndonëse nuk jam prej atyre që i glorifikojnë njerëzit, e as që mundohem të bëhem avokat i dikujt… Realiteti është se, Albin Kurti, përreth gjitha dobësive që i ngërthen në vehte, ai paraqet frymë të re në politikën kosovare dhe në atë mbarëshqiptare të periudhës së demokracisë, edhe atë, nga shumë aspekte, si nga aftësia, mençuria, dhe kredibiliteti personal, e deri tek personaliteti i tij i pakomprometuar, i pakorruptuar, dhe i pashantazhuar;
– Mbase, Albin Kurti nuk është më i miri, mirëpo, në skenën politike kosovare dhe shqiptare, më të mirë se ai nuk ka patur, dhe, për momentin, nuk ka; e, kjo, s’do të thotë se nuk mund të ketë, apo, se nuk do të ketë.
III.Mbi ‘vetëdestruktivitetin’ kosovar
Për të gjithë ata të cilët mund të habiten nga apostrofimi i fjalës ‘vetëdestruktivitet’ kosovar, them:
– Duke e marë parasysh momentin kyç dhe vendimtar historik nëpër të cilin po kalon Kosova në këtë proces të shtetformimit…;
– Duke e marë parasysh disponimin e faktorit politik ndërkombëtar për arritjen e një kompromisi në mes Kosovës dhe Serbisë me çdo kusht, qoftë edhe përmes shkeljes drastike të të drejtave të natyrshme si dhe interesave vitale të popullit kosovar dhe Kosovës…;
– Duke e marë parasysh ‘ofanzivën’ propagandistike, ideologjike, politike dhe diplomatike destruktive, të ndërmarrë nga Beogradi zyrtar si dhe satelitët e tij pan-sllavist dhe pan-ortodoks…;
– Duke e marë parasysh inferioritetin dhe disavantazhin e deritanishëm të palës kosovare në procesin e bisedimeve me Serbinë…;
– Duke e marë parasysh ‘inkuizicionin’ politik dhe mediatik të përmasave histerike ndaj Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, dhe qeverisë së tij;
– Duke e marë parasysh ‘maskaradën’ e disa palo-analistëve dhe palo-gazetarëve përkitazi me procesin e ‘fillimit të dialogut’ Kosovë-Serbi;
– Duke e marë parasysh faktin se, shumica e intelektualëve, gazetarëve, mediave, etj., flasin me gjuhën e Beogradit, e në rastet më të mira me gjuhën e ambasadorëve dhe zyrtarëve perendimorë;
– Duke e marë parasysh faktin se, shumica flasin për ‘realpolitik’, ‘pragmatizëm’, etj., mirëpo, asnjeni nuk dëshiron ta pranojë faktin se, këto nocione, në rastin konkret, nënkuptojnë dorëzimin para aktit të kryer, respektivisht, mbylljen e dosjes së të ‘pagjeturve’, pranimin e ‘Asociacionit të Komunave Serbe’, ndarjen ‘de jure’ të Kosovës, si dhe shumë e shumë kompromise tjera të dhimbshme; …
Kjo, si dhe, duke marë për bazë faktet që vijojnë:
– Faktin se, Kosova dhe Serbia janë në gjendje armëpushimi, derisa të arrihet marrëveshja dhe paqja e qëndrueshme;
– Faktin se, në situata të këtilla, ashtu sikurse që lufta është vazhdim i politikës me mjete tjera, edhe kjo gjendje e ‘armëpushimit’, do të duhej të jetë vazhdim i ‘luftës’ me mjete tjera, d.m.th. përmes mjeteve politike, mediatike, lobiste, iniciativave civile, lëvizjeve popullore, etj.
– Faktin se, sikurse që, në rast lufte, kur fillojnë bisedimet, ushtria intensifikon sulmet, ngase, sa më shumë presion, aq më shumë të arritura në tavolinë…; edhe në kohë të këtilla të ‘armëpushimit’ apo ‘paqes së brishtë’, kur fillon dialogu, do të duhej të shtohet presioni përmes kanaleve politike, diplomatike, lobiste, mediatike, protestave, etj.
– Faktin se, fuqitë perendimore, zakonisht janë me më të fortin…; dhe se, ata, zakonisht e monitorojnë dhe e masin për së afërmi opinionin publik, dhe, në saje të saj edhe marin qëndrimet e tyre; …
Duke marë parasysh realitetet e hidhura dhe faktet e lartëpërmendura, si dhe, kur sheh tragjikomedinë që po zhvillohet në skenën kosovare në ditët e fundit, ku:
– Në vend se objekt i sulmit dhe kritikave të jetë pala serbe dhe satelitët e saj, për bëmat e tyre…; i gjithë ky sulm është drejtuar ndaj Albin Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke i paraqitur si ‘armiq të vërtetë’, në vend të Serbisë;
– Në vend se objekt i kritikave të jenë funksionarët dhe qeveritë e mëparshme, për bëmat, të pabërat, dhe lëshimet e tyre në këtë proces…; të gjitha kritikat po drejtohen kah Albin Kurti dhe Qeveria e tij;
– Në vend se i gjithë fokusi të drejtohet kah të ndihmuarit e këtij procesi, me qëllim që ky proces të kurorëzohet me sukses dhe në interes të Kosovës, popullit Kosovar, dhe atij mbarëshqiptar…; përkundrazi, i gjithë fokusi është i drejtuar kah linçimi politik i një personi dhe një subjekti politik, qoftë edhe në llogari të Kosovës dhe popullit të saj, dhe jo vetëm;
– Në vend që politikanët të bëjnë kompromise, ndërsa populli dhe organet civile të bëjnë presion, me qëllim të përforcimit të pozicioneve të palës e cila i përfaqëson në tryezë të bisedimeve, me ç’rast, sa më shumë presion, po aq pozicionim më të mirë…; ne kemi një situatë absurde, ku, populli bën kompromise, para se një gjë të tillë ta bëjnë politikanët; …
Kur kemi një situatë të këtillë absurde, paradoksale dhe ‘sui generis’, ku, populli dhe organet civile janë dorëzuar dhe nuk ndërmarrin asgjë, përpos grindjeve dhe ‘betejave’ të brendshme…; në situata të këtilla fjala ‘vetëdestruktivitet’, ‘vetëshkatërrim’, dhe ‘ngrënie e kokës së vete’, janë fjalë tejet të buta, përballë një realiteti të këtillë të dhimbshëm…!
Së këndejmi, nëse ky ‘dialog’ dështon, apo se mbaron me rezultate negative, një gjë e tillë nuk do të jetë gabim dhe humbje e Albinit dhe garniturës së tij, por do të jetë dështim i popullit kosovar…!
Përndryshe, Albin Kurti vetëm se e ka fituar ‘betejën’ e tij, ngase, ai duket të jetë i vetmi i cili po reziston, në një kohë kur të gjithë janë dorëzuar para se të hyjnë në ‘front’…!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



