Sot është hapur për vizitorë ekspozita digjitale e veprave artistike postmoderne dhe fotografive digjitale e titulluar “Tired of Isolation?” e veprimtarit të shquar mitrovicas Besim Mikullovci. Me anë të kësaj ekspozite personale Besim Mikullovci synon të shprehë revoltën e tij lidhur me izolimin e padrejtë 22-vjeçar të Kosovës me anë të regjimit të vizave.
Ai synon të tërheq vëmendjen në izolimin e padrejtë të Kosovës, e cila është pjesë e Evropës dhe të cilën e krahason me një “kamp përqendrimi në shekullin e 21-të nga i cili mund të dilet vetëm me leje të posaçme”.
Komunikimi i idesë të kësaj gjendje paraqitet në 16 vepra arti postmodern dhe fotografi digjitale, të cilat me anë të Ekspozitës Personale “Tired of Isolation?” ka për qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit të gjerë ndërkombëtar lidhur me mohimin e të drejtës elementare të lëvizjes së lirë.
E veçanta tjetër e ekspozitës është se ekspozitat virtuale janë risi dhe ende nuk ka galeri virtuale të mjaftueshme, kështu të gjithë ata që ekspozojnë punimet e tyre në formë virtuale – përdorin dhomat e njëjta. Galeria Virtuale në të cilën janë ekspozuar punimet e Besim Mikullovcit, tërësisht është e projektuar nga ai personalisht dhe është unike për nga lloji dhe funksioni.
Kohëve të fundit shpesh bisedohet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo jo rrallë here edhe dëgjohen mesazhe të shteteve, të cilat janë kundër largimit të regjimit të vizave.
Ekspozita pesonale e veprimtarit mitrovicas Besim Mikullovci e përkrahur nga Komuna e Prishtinës / Drejtoria për Kulturë mund të ndiqet në adresën:www.mikullovci.com/expo/
