Komedia “Martesa” e A.P Çehov, e vënë në skenë nga teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit u mirëprit mbrëmjen e djeshme nga qytetarët beratas.

E shfaqur në ambientet e Kalasë së Beratit, artdashësit duartrokitën lojën e aktorëve, të cilët sollën një atmosferë të magjishme.

Kjo shfaqje është vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi nën interpretimin e aktorëve Sanie Hoti, Vilma Hodo, Marsel Rupi, Ervin Doko, Eralda Çaushi, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Xhejn Fama, Adelina Muça, Amos Zaharia dhe Gjergj Doçi.

Komedia me 5 pjesë me një akt  “Martesa”, “Tragjik pa dashje”,  “Ariu”,  “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, është e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën, një nostalgji lirike, që përshkruan gjithçka.

Gjithçka ndodh në një martesë, nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Po ashtu një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar sesi do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Një vejushë elegante dhe plot sharm takon një pronar tokash dhe takimi përfundon në një duel! Një djalë i ri, i dashuruar, vendos të propozojë vajzën e ëndrrave të tij për martesë, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.

Qyteti i një mbi një dritareve ofron hapësira për të zhvilluar shfaqje në ambiente të hapura, duke promovuar në këtë mënyrë edhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re