Nga Hoxhë Alban Gorishti
Në sfond dëgjoj zhurma kasetofonash që sapo kalojnë në ndonjë rrugë të drejtë menjëherë rrisin volumin e muzikës në sfond dhe xhirojnë me shpejtësi gomat e makinës së tyre të shtrenjtë. Realisht nuk dëshiroja të shkruaj por tragjedia e fundit e familjes 4 antarshe në rrugët e gjëra të një autostrade afër qytetit tim, ma bëri pothuajse të pamundur përmbajtjen nga risjellja në fokus e këtyre aksidenteve tashmë në këndvështrimin tim djallëzore. Para pak kohësh një vajze ju pre këmba duke ndenjur në trotuar pikërisht nga një prej këtyre individëve pa “patentë morale” të cilët shoqëria po i sendërton me heshtjen apo modelin e gabuar që përkrah. Lekë të bërë pa mund dhe modele televizive që janë tashmë pjesë e një prostitucioni të rëndë mediatik, janë inspiruesit bashkohorë të një rinie blloku pa asnjë bllok etik. Kjo më kujtoi një thënie e cila shpreh se jetim nuk konsiderohen ata fëmijë që nuk kanë baba apo nënë por ata që nuk kanë asnjë model jetësor tek i cili të shëmbëllen. Model këtu nuk janë antimodelet e baballarëve pa kurrfarë merite sociale apo kulturore dhe as të bijëve te tyre që besojnë se dunjaja është krijuar për ta por i atyre që marrin atë që i takon pa krijuar trazira përgjatë kësaj “marrjeje”. Por të marësh një pasuri që nuk të takon shumë shpejt do të thotë të jesh gjakftohtë madje edhe në marrjen e një jete.
Një familje u shua dje, një dhembje që personalisht e perjetova sikur te ishte e imja, imagjinoni një ditë të bukur kur ndodhesh me familjen tënde duke ecur për bukuri në rrugën tënde dhe papritmas radioja dhe euforia e një “shoqërie” të djallëzuar të ndërpret si pa gjë të keqe gjithë vitalitetin e një jete ndoshta të ndërtuar me mund dhe djersë, sepse si shoqëri kemi kohë që kemi dështuar në pengimin e të keqes brenda nesh. Sa e sa aksidente të tilla kanë ndodhur në vendin tonë, sa njerëz janë vrarë pa kurfarë faji nga këta bij… të formuar nën efektin e drogave dhe modeleve pornografike. Sa e sa prindër edhe pse fëmijët nuk i frikësohen aspak as atyre dhe as organeve ligjvënëse përsëri i kojnë (shprehje që përdoret për dhenien e ushqimit ndaj kafshëve) me lloj lloj pasurish të pa merituara dhe potencialisht të keqkuptuara nga ata. E kështu duke keqkuptuar një përgjegjësi apo plaçkë mundësia që ti me të ti bësh keq vetes tënde dhe te tjerëve është shumë e madhe. Më thoni kush e kompenson atë familje nga ky dëm që pësoi? Akush sepse ata tani nuk janë më midis nesh.
Kur po shkruaja këto rreshta po mendoja ti lija mënjanë emocionet por mendova në ato vajza të reja (si të miat) dhe një makinë që dhunshëm u hipën përsipër duke mos pasur mundësi as të pyesin se, pse ndodhi? Për mua është e qartë, faji qëndron tek ne, të gjithë jemi përgjegjës. Harrojmë fillimisht se edukimi parandalues është masa më e mirë e mbrojtjes së jetës por pasi i kemi krijuar disa monstra moskokëçarës me duart tona, harrojmë se “djalli nuk pendohet”, ndaj pasi edukimi nuk është më i mundur atëherë ndëshkimi i patolerueshëm është një mundësi potenciale që nesër ta ruajë vajzen time dhe tendën nga këta djaj me patentë. Mos harroni edhe në librat e mëparshëm të doktrinave monoteiste faji qoftë edhe nga pakujdesia paguhej. Kështu thuhet se: Edhe vrasjet e shkaktuara pa dashje për shkak të pakujdesisë konsideroheshin si një krim i rëndë në ligjin që iu dha Izraelitve” Ligji i përtërire 22:8. Ndërsa fillimisht Islami kujdeset për parandalimin nëpërmjet gjithë aparatit të vet edukativ. Për këtë shërbejnë shumë postulate profetike apo Kuranore, Pejgamberi a. s. u thoshte shokëve të tij: “
Qëndroni larg shtatë mëkateve shkatërruese për njeriun. Shokët i thanë, O I Dërguar, kush janë ato shtatë mëkate? Pejgamberi a. s. tha: “Idhujtaria ndaj Allahut xh. sh., vrasja dhe vetëvrasja….. “, ose ajete Kuranore si ai ku shprehet se :Ai që merr një jetë është sikur t’ia kishte marrë njerëzimit në tërësi”….. E më pas kësaj në kohën kur është tejkaluar çdo barrierë edukative , kur djajtë mbizotërojnë, ah atëherë ndoshta vlen thënia “Atë që se bën dot Kurani e bën sulltani..”
Ndaj ju lutem mos i lejoni “djajtë” të na vrasin….
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



