

Vdekja e një jetimi të pafajshëm si Musaen Zeneli, ka prekur jo pak zemra. Sot i riu u përcoll në banesën e fundit dhe kanë qenë të shumtë ata qytetarë shqiptarë, që kanë dashur të japin diçka nga vetja për familjen e të ndjerit.
Që ditën e djeshme në media u publikuan dëshira e disa personave për të paguar faturën e ceremonisë mortore, por po ashtu dhe shqiptarë zemërmirë që kanë hapur ‘gofund me’ për të ndihmuar familjen e jetimit.
Sot me përcjelljen e të riut në banesën e fundit, një kamarier i Shkodrës, ka përcjellë një video, ku i adresohet kamarierëve, banakierëve, menaxherëve apo pronarëve të lokaleve në qytetin verior, që disa prej të ardhurave të tyre, t’ja dorëzojnë familjes së Musaenit.
I riu i quajtur Rehyl Toska, është intervistuar nga media, duke thënë se kushdo që ka dëshirë, të mund të kontribuojë për familjen e jetimit.
“Pati ëndrra shumë të mëdha, iu ndërpre ëndrra në mes. Ashtu siç e kemi vazhduar të gjithë që të çojmë bakshish familjes, mora iniciativën sado pak që t’i jap ndihmesë familjes. Kanë kontribuar 1 mijë lekë, 5 mijë lekë, 10 mijë lekë. Ka pasur dhe prej atyre që kanë kontribuar më tepër, por e kanë pritur shumë mirë. Bakshishi që i ka munguar djalit që iku nga kjo jetë, ne do ta vazhdojmë për 2-3 ditë, do të kontribuojmë.”-tha i riu.
Nismës i janë bashkuar një sërë kamarierësh që njëlloj si Musaeni, punojnë për të mbajtur veten dhe familjen.
