Analisti Plator Nesturi, i ftuar mbrëmjen në emisionin “Pushteti” në FaxNews, komentoi situatën e rendit dhe sigurisë në vend, fokusuar kryesisht tek masakra e ndodhur në Velipojë me katër të vrarë.
Nesturi shprehet se fenomeni i ‘të fortëve’ shfaqet në ato vende të cilat kanë thyerje të fuqishme pushteti dhe hyjnë në rrugën e trazicionit. Problemi me Shqipërinë sipas analistit qëndron në faktin se tranzicioni zgjati më shumë se ç’duhet dhe tashmë është koha që duhet të thuhet boll.
Sipas tij ose të fortët duhet të bëhen rregullator të ekonomisë së tregut dhe të vendosin kush është më i forti, ose shteti duhet të marrë në dorë fuqinë rregullatore në këtë vend.
Nesturi thekson se ngjarja e Velipojës është dëshmi e babëzisë dhe zaptimit me qëllime përfitimi.
“Është një problem social dhe jo vetëm i atyre që i ka ndodhur fatkeqësia. Çdo vend që është në periudhë tranzicioni dhe sa herë ka ndryshime të fuqishme pushtetesh, atëherë gjejnë terren ata që quhen ‘të fortë’. Edhe në vendet e zhvilluara, dikur në momente të caktuara, kur ka patur thyerje drastike të pushteteve elementi i fortë ka arritur të përfitojë, qoftë në çështjet e privatizimeve, qoftë në çështjet e tenderave, apo shërbimeve dhe gjithçka tjetër.
Problemi te ne është se zgjati së tepërmi dhe është një moment për të thënë boll. Është momenti për të thënë se ose kjo ekonomi tregu mbi të fortët duhet të rregullohet po nga të fortët, duke patur një kosto jetësore dhe sociale, pra do të jenë pikërisht këta rregullator sa të vendosen piketat se kush do të jetë më i forti dhe mbi bazën e atyre rregulla që përcaktojnë këta do të vijohet, ose shteti duhet të jetë më konkret, më i drejtëpërdrejtë dhe më i fuqishëm në rolin e rregullatorit.
Ngjarja e Velipojës është një element shumë i prekshëm i faktit të asaj që ne si shoqëri e kemi toleruar, çështjen e zaptimit. Kjo ka nxitur këtë lloj babëzie, babëzie për të përfituar nga çdo moment”, tha Nesturi.
…
/faxweb
