Skip to content

“Faturat e ujit shërbejnë si agjentë tatimorë të bashkive”, Kreu i ERRE flet për rritjen e çmimit të uji: Duhet të plotësohen këto kritere që të ndodhë

Kreu i Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë, Ndriçim Shani ka zhvilluar një intervistë me gazetaren e Fax News, Mirilda Tili, ku ka folur për premtimin e bërë nga qeveria Rama për 24 orë ujë në qendrat urbane.

Shani thotë se është normale që të kesh 24 orë ujë pasi është shërbimi më jetësor për popullsinë, duke shtuar se janë të gjitha mundësitë që objektivi i vitit 2023 të realizohet.

“Është normale të kesh 24 orë ujë, pasi është shërbimi më jetësor për popullsinë. Gjatë dy viteve të fundit po aplikohet nga qeveria një strategji për 24 orë ujë në qendrat urbane. Deri në fund të vitit 2023, 58 qendra urbane nga 66 në total, të jenë të furnizuara me ujë 24 orë. Janë 22 prej tyre që marrin ujë 24 orë në ditë. Vetëm vitin që kaloi u shtuan 8 qendra. Duket që jemi në rrugë të drejtë për këtë investim”, tha Shani.

Shani foli edhe për investimet dhe nevojat për fonde, duke veçuar si sektorin më në nevojë atë të kanalizimit të ujërave të ndotura.

“Nevojë për më shumë lekë kemi gjithmonë. Nëse i referohemi strategjisë kombëtare, nevoja për më fonde janë jashtëzakonisht të mëdha, kryesisht te pjesa e kanalizimit të ujërave të ndotura. Të themi, rreth 50% të asaj që nevojitet janë të përballueshme nga fondet e buxhetit dhe ajo e donatorëve“, u shpreh ai.

Kreu i ERRU u pyet edhe për lajmet që është rritur çmimi i ujit. Ai e mohoi kategorikisht mundësinë që çmimi i ujit të jetë rritur, duke sqaruar se propozimin për rritjen e çmimit të ujit e bën bashkia përkatëse apo shoqeritë dhe më pas vlerësohen disa kritere përpara se të pranohet rritja.

“Flitet rregullatori rriti çmimin e ujit. Rregullatori merr në shqyrtim propozimin që sjellin shoqeritë dhe bashkitë përkatëse për rritjen e çmimit të ujit. Ajo që bëjmë ne është analizimi i këtyre kostove dhe pranojmë vetëm ato që quhen të justifikuara. Gjithashtu studion edhe pjesën e performancës dhe ne funksion të këtyre dy faktorëve përcakton pastaj nëse propozimi qëndron apo jo. Kemi dhe një kriter tjetër, që është faktori i përballueshmërisë së faturës”, theksoi Shani.

Në fund Shani foli edhe për taksat e tjera të përfshira në faturën e ujit, duke bërë të qartë se faturat e ujit shërbejnë si agjentë tatimorë të taksave të bashkisë.

“Taksat e tjera në faturën e ujit? Krijohet përshtypja se fatura e ujit është shumë e madhe. Faturat e ujit shërbejnë edhe si agjentë tatimore të taksave të bashkisë. Konsumatorët nuk arrijnë të dallojnë këtë dhe krijohet artificialisht përshtypja se është rritur çmimi i ujit. Marrja përsipër e rritjes së çmimit të ujit është e bashkisë“, tha ai.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb