Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, i cili u arrestua ditën e sotme me urdhër të SPAK, nuk do ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste.
Në një postim në Twitter, Rama thotë se Tushe dhe “cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste”.
Sipas shefit të Qeverisë, “flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.
“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.
Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruan Rama.
