Nuk i ka zhgënjyer aspak pritshmëritë ‘’finalja’’ e parë e këtij botërori, derbi iberik Portugali – Spanjë. Gola, emocione, spektakël dhe luftë duke na dhënë barazimin e parë, si edhe ndeshje me më shumë gola deri tani në botëror.
Ndeshja nisi dhe u mbyll nën shenjën e Kristiano Ronaldo që mori përdore Portugalinë e tij dhe ndali Spanjën. Në fillimin e saj Ronaldo fiton dhe më pas ekzekuton saktë një 11 metërsh. Përgjigja e spanjollëve vjen me sulmuesin Diego Kosta që pasi driblon gjithë mbrojtjen portugeze barazon shifrat. Por në fundin e kësaj pjese është sërish Ronaldo që shënon falë edhe një gabimi të portierit De Gea.
Pjesa e dytë nis me një tjetër ritëm për spanjollët që shënojnë dy herë, fillimisht është Diego Kosta që i përgjigjet Ronaldos duke mbyllur një skemë të spanjollëve ndërsa Naço me një goditje nga jashtë zone i kalon për herë të parë në avantazh por në fund të mjafton një goditje mjeshtërore dënimi ekzekutuar nga CR7 për ta mbyllur në barazim këtë sfidë.
Këhstu Ronaldo prish ëndrrën e Fernando Hieros për ta mbyllur me fitore prezantimin e parë në stolin e Spanjës. Ndërsa grupi B pas ndeshjeve të para kryesohet nga Irani dhe Spanja e Portugalia ndajnë pozitat e dyta dhe të treta me nga 1 pikë./Berati.TV
Portugali 3-3 Spanjë
Shënues: Ronaldo 3′(11m), 44′, 88′ / Diego Kosta 24′, 55′, Naço 58′



