Një raport i ri nga Oxfam thotë se 11 njerëz ka të ngjarë të vdesin nga uria dhe kequshqyerja çdo minutë. Sipas këtij raporti, tashmë vdekjet globale nga uria kanë kapërcyer fatalitetet e lidhura me Covid.
Organizata bamirëse kundër varfërisë tha se 155 milionë njerëz në 55 vende të botës janë shtyrë në “nivele ekstreme të pasigurisë ushqimore”, një rritje prej 20 milion krahasuar me vitin e kaluar.
“Sot, 11 njerëz ka të ngjarë të vdesin çdo minutë nga uria. Kjo normë tejkalon nivelin aktual të vdekshmërisë pandemike, e cila është me 7 persona në minutë.”, thuhet në raport.
Oxfam paralajmëroi se “më e keqja ende nuk ka ardhur” dhe u kërkoi qeverive globale të “trajtojnë urgjentisht pasigurinë e ushqimit dhe shkaqet e saj rrënjësore”.
“Të dhënat janë shokuese. Këto nuk janë vetëm statistika, pasi bëhet fjalë për njerëz që përballen me vuajtje të paimagjinueshme”, tha udhëheqësja e Oxfam America, Abby Maxman.
Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani dhe Sudani i Jugut janë në listën e vendeve me situatën më kritike.
Oxfam është organizatë që merret me luftimin e varfërisë dhe të premten publikoi raportin “Shumëfishohet virusi i urisë”./
…
/faxweb
