Skip to content

Iu gjet një kallashnikov pa leje dhe municion luftarak në banesë, arrestohet 64-vjeçari në Elbasan

Policia e Elbasanit  ka arrestuar shtetasin Ramazan Çeka, 64-vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij ka mundur të gjejë një armë automatike kallashnikov dhe municion luftarak.

Njoftimi i plotë i policisë: Elbasan

Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, vihet në pranga poseduesi i tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri  pa leje në banesë, kanë ushtruar kontroll  në banesën e shtetasit  R.Ç në fshatin Xibrakë, Elbasan.

Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. Ç., 64 vjeç, banues në fshatin Xibrakë, Elbasan dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme  për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

/faxweb