Nga Blendi Gashi

Teuta Rugova, vajza e të ndjerit ish-president, është shndërruar në një fenomen politik me aktin e saj të një “tradhëtie” të hapur ndaj partisë së saj, e që është gjithashtu dhe partia historike e lënë prej babait, LDK.

Ajo është bërë njësh me kreun e PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit Kadri Veseli, duke iu bashkangjitur këtij të fundit në një tur lobues nëpër Europë. E ka ndërmarrë këtë aksion politik pa izmën e partisë ku militon, në një injorim të plotë.

Vetë LDK, turin e Veselit e konsideron si “vizitë turistike me shpenzime të panevojshëm të parasë publike”.

Po pse nuk reagon LDK ndaj kësaj plangprishëseje politike, e cila e ka ndarë identitetin e saj gjithashtu politik me dysh?

Është e qartë: Teuta është gjithsesi një aset politik i përkthyer në vota, mu prej faktit se është e bija e njeriut simbol të saj, ish-presidentit Rugova, kolona kryesore identitare ku ende mbahet në këmbë LDK-ja.

Nga ana tjetër, “tradhëtia” e Teutës ndaj LDK-së dhe afërsia e saj me kundërshtarët e drejtpërdrejtë edhe të të atit të ndjerë, nuk përbën befasi.

Vjeshtën e kaluar, Teuta Rugova u bë emri më i lakuar pasi përflitej si dhënëse vote për qeverinë së PAN-it (PDK-AAK-NISMA), duke qenë në radhët e LDK-së. Vota e saj po mbante në ethe të gjithë, edhe pse LDK deklarohej se ka unitet brenda partisë.

Teuta edhe pse nuk mori pjesë në seancën kur u votua qeveria “Haradinaj” ajo dha kontribut në formimin e ekzekutivit, pasi ishte e vetmja deputete nga LDK-ja që qëndroi në Kuvend për t’ia bërë kuorumin PAN-it.

Teuta, po ashtu ndihmoi PAN-in në gusht të vitit të kaluar gjatë seancës kur po provohej konstituimi i Kuvendit. Meqë koalicioni PAN akoma nuk i kishte votat për ta zgjedhur Veselin në krye të Kuvendit, ajo votoi propozimin e Enver Hoxhajt për të shkuar në pushim.

Edhe në këtë rast LDK-ja nuk ndërmorri asnjë masë ndaj Teutës. Hesht kjo, hesht dhe partia e saj. Ndaj dhe është fenomen.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re