Komisioni Statutor i Partisë Demokratike ka pranuar propozimet e kryetarit aktual të saj, Lulzim Basha, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë propozimet e Fatbardh Kadillit dhe Edith Harxhit.
Në tërësinë e tyre, të tre propozimet kishin në thelb demokratizimin e PD dhe hapjen e partisë, por ndryshe nga Basha, Kadilli dhe Harxhi propozonin sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve, propozim ky që nuk u prek aspak nga Basha.
Në lidhje me rrëzimin e propozimeve të tij ka raguar dhe vetë ish-kandidati në garë për kreun e PD-së Fatbardh Kadilli, i cili thekson se debati për ringritjen e PD-së nuk mbyllet me vendime antistatuore.
Reagimi i plotë: Ndryshimet Statutore
Debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime antistatutore të Komisionit Statutor.
Sot Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit.
Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim.
Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet.
Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita.
Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.
Kryesia ka neser shancin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët.
Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre.
…
/faxweb
