Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga Materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’ deklaroi se vizioni për ta shndërruar shëndetësinë në një pikë referimi për të gjithë rajonin po ecën në rrugën e duhur. Rama shtoi se do të ndërtohet një rrjet antikorrupsion në të gjithë shërbimin publik.
“Ne jemi në proces të ndërtimit të një rrjeti antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë publik. Kjo do të jetë vetëm nga ana jonë, jo ai i drejtësisë. Kjo është arsyeja që edhe në spitale do të shtrijmë deri në fund, si në të gjitha institucionet, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë dhe për të kontribuar në ndarjen e të njomit nga i thati. Lufta do të bëhet brenda. Vetëm kështu rriten të ardhurat, vlerësimit, dinjiteti dhe respekti”, u shpreh Rama.
