Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një masë të re për mbikqyrjen e veçantë të të burgosurve që përbëjnë rrezik për sigurinë e institucionit apo të tretët.
Kjo masë është marrë me synim neutralizimin e të dënuarve apo të paraburgosurve shumë të rrezikshëm, që janë eksponentë të spikatur të botës së krimit. Bëhet fjalë për një regjim të posaçëm dhe deri më tani përfshin mbikqyrjen e veçantë të 140 personave.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në tryezën “Arritjet në përmirësimin e sistemit penitenciar, sfidat dhe prioritetet” tha se kjo masë përbën formën më të lartë të kontrollit ndaj të dënuarve dhe ka rezultuar si instrument efikas në vende si Italia dhe SHBA.
“Regjimi i posaçëm ka një rëndësi të jashtëzakonshme pasi për herë të parë ndërpritet efektivisht komunikimi ndërmjet të burgosurve dhe anëtarëve të tjerë në liri duke ndërprerë zinxhirin komandues te këto organizata kriminale. Regjimi i posaçëm është tashmë realitet dhe atij i janë nënshtruar 7 persona”, tha ministrja, teksa shtoi se kjo risi ligjore përmirëson ndjeshëm mjetet në dispozicion të institucioneve penitenciare për të garantuar rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e jetesës në institucion.
