

Mes të paktën 165 viktimave që humbën jetën si pasojë e përmbytjeve në Gjermani, është dhe një shqiptare e Kosovës.
Lajmin e ka përcjellë gazetari i Deutsche Welle Bahri Cani, i cili ka postuar në rrjetin social njoftimin e familjarit të së ndjerës.
E ndjera, një vajzë e re në moshë, quhej Vanesa Koxha dhe ishte me origjinë nga Kaçaniku i Kosovës.
Kujtojmë se ditën e djeshme u raportua në media se një çift shqiptarësh të Kosovës kishin ndërruar jetë për shkak të përmbytjeve të Gjermani. Mbi lajmin Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi se nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet gjermane.
“MPJD është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet gjermane përmes Ambasadës së Kosovës në Gjermani, dhe deri në këto momente ende nuk ka marrë konfirmim nga autoritetet përkatëse lidhur me dyshimet për humbjen e jetës së dy bashkatdhetarëve”, u tha në përgjigje.
