Skip to content

Erdoğan: Do të bëjmë përpjekje që shteti i qipriotëve turq të fitojë njohje të gjerë

Presidenti turk dhe udhëheqësi i Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se ata që po përpiqen të rrezikojnë rrugën e Turqisë drejt zhvillimit dhe përparimit kanë dështuar.

“Ata që po përpiqen ta heqin vendin tonë nga binarët e demokracisë dhe zhvillimit, i cili ka lëvizur për 19 vjet dhe po përgatitet të hyjë në një fazë të re, janë të vetëdijshëm se kanë dështuar”, tha Erdoğan në adresimin përmes video-konferencës për përfaqësuesit e AK Partisë me rastin festës muslimane të Kurban Bajramit.

Ai preku gjithashtu çështjen e Qipros, duke vënë në dukje se Turqia do të jetë gjithmonë me Republikën Turke të Qipros Veriore.

“Do të bëjmë çdo përpjekje për të siguruar që shteti i qipriotëve turq të njihet gjerësisht sa më shpejt të jetë e mundur. Tani kërkesa e vetme e qipriotëve turq në tryezën e negociatave ndërkombëtare është njohja e statusit të tyre si një shtet sovran. Propozime të tjera nuk janë më të vlefshme”, tha Erdoğan.

Erdoğan theksoi se grekët qipriotë kanë kryer të gjitha llojet e padrejtësive, paligjshmërive dhe poshtërimeve kundër turqve qipriotë që nga viti 1963.

“Po ashtu thanë ‘jo’ për të gjitha iniciativat e mundshme, përfshirë planin e Annan-it, të nisur nga Kombet e Bashkuara për një formulë shtetërore në të cilën të dy palët do të përfaqësoheshin në ishull. Ishin qipriotët grekë ata që, megjithë vullnetin e mirë të Turqisë, punuan kundër nesh në vendin tonë, në Bashkimin Evropian dhe brenda çdo iniciative qipriote turke”, tha presidenti turk.

– “Turqia po udhëheq një luftë vendimtare dhe efektive kundër pandemisë”

Presidenti Erdoğan po ashtu theksoi se Turqia po udhëheq një luftë vendimtare dhe efektive kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Megjithëse incidenca e varianteve të reja të koronavirusit po rritet në vendet e tjera, Turqia nuk është ende e ekspozuar ndaj këtij kërcënimi. Ne kemi hyrë në Kurban Bajram si një vend që ka bërë përparim të rëndësishëm në luftimin e pandemisë, ulur ndjeshëm numrin e të infektuarve, të sëmurëve dhe rasteve të vdekjes dhe arriti përparim të madh në procesin e vaksinimit”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se pandemia globale, përveç problemeve dhe kostove të shumta që shkaktoi, solli edhe mundësi të caktuara.

“Turqia tani është në fazën e realizimit të këtyre mundësive. Prodhimi industrial po shkon mirë, tregtia jonë po ringjallet, eksportet tona vazhdimisht po thyejnë rekorde, dhe në sektorin e turizmit, qëllimet po rriten vazhdimisht”, tha Erdoğan.​​​​​​​