Skip to content

Dule dhe Duka ngelen me ‘gisht në gojë’, cilat janë partitë që nuk marrin asnjë financim nga KQZ për 25 Prillin

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar ditën e sotme listën e partive politike të cilat nuk do të përfitojnë asnjë financim nga ky institucion, pasi në zgjedhjet e 25 Prillit nuk kanë mundur të sigurojnë pragun prej 1% që u bënë të mundur kompensimin financiar nga KQZ.

Partitë që nuk përfitojnë asnjë financim nga KQZ janë:

Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me kryetar Vangjel Dulen;

Partia Lëvizja Legaliteti me kryetar Shpëtim Axhamin;

Partia Agrare Ambientaliste me kryetar Agron Dukën;

Njoftimi i plotë i KQZ-së:

Të treja partitë janë pjesë e Koalicionit PD-AN, referuar nenit 88, pika 3 të të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, numri i votave të vlefshme takuese është 10.546 (dhjetë mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë), vlerë kjo e llogaritur duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre. 622.187 (numri i votave të vlefshme të PD-AN)/59 (numri i mandateve)=10.546 (vota/mandat).

Numri i votave të vlefshme në shkallë vendi 1.578.117 (një milion e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) dhe vlera 1% e tyre përllogaritet: 1.578.117*0.01=15.781 (pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e një) vota.

Numri i votave të vlefshme takuese për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje si pjesëtare të koalicionit PD-AN të cilat nuk përfituan fonde para zgjedhjeve është 10.546 (dhjetë mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë) vota. Duke qenë se numri i votave të vlefshme për këto parti politike eshtë më i vogël se pragu 1%, atëherë ato nuk përfitojnë kompensim financiar paszgjedhor.

/faxweb