Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi për nismën “Open Balkan” të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që deri dje njihej si Minishengeni Ballkanik.
“Mendoj që këto takime po bëhen kaq shpesh, sa nuk po e kuptojmë se pse po bëhen dhe çfarë të reje po prodhojnë, përveçse protagonizmit të tepruar politik të atyre që janë në këto takime. Pozicioni i Partisë Demokratike është që lëvizja e lirë në rajonin tonë të funksionojë, duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentisht të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për paqen dhe stabilitetin në rajon, që është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Të na kursejnë një film të parë e të stërparë, që nuk po prodhon gjë për qytetarët”, tha Basha.
