Skip to content

Policia e Durrësit hidhet në aksion, sekuestron drogë dhe armë, arrestohen 6 persona

6 persona janë arrestuar në orët e fundit nga policia e Durrësit të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Burime bëjnë me dije se në Krujë u arrestua shtetasi Mikel Doda pasi në banesë iu gjetën 2 armë zjarri pushkë dhe të kultivuar fidanë canabis dhe Mirosh Nikolla për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Po ashtu u arrestua Ali Kurti, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën të kultivuara fidanë canabis sativa.

Një tjetër i arrestuar është shtetasi Suljeman Hidri, pasi gjatë kontrollit në mjet iu gjet 1.3 kg lëndë narkotike canabis. Po ashtu në pranga kanë rënë dhe dy persona të shpallur në kërkim më herët nga ana e policisë.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve goditet një rast i armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e narkotikëve, 2 raste të tjera në fushën e narkotikëve, si dhe kapen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Sekuestrohen 2 armë zjarri (pushkë), municion luftarak, 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, vihen në pranga 6 shtetas.

Në zbatim të Planit të Masave “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve të veprave penale, personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, gjatë kontrolleve të ushtruara nga strukturat e DVP Durrës janë goditur këto raste:

Në Krujë, bazuar në informacionet e siguruara se 1 shtetas posedonte armë zjarri në banesë dhe kishte tendencë për kultivim të bimëve narkotike, strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Krujë, lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasin M. D., 47 vjeç, banues në Krujë dhe për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasin M. N., 48 vjeç, banues në Manzë, Durrës.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. D., në Krujë, ku ndodhej dhe shtetasi M. N., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pushkë dhe 16 fishekë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në oborrin e banesës së vjetër të këtij shtetasi u gjetën të kultivuar fidanë kanabis.

Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., banues në Zallë, Fushë Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në oborrin e banesës së tij u gjetën bimë të kultivuara fidanë kanabis.

Nga strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në bazë të informacioneve se një shtetas dispononte sende të kundërligjshme me vete, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin S. H., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë. Shërbimet e Policisë në Zallë, Fushë Krujë, pasi kanë ndaluar mjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin S. H., gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, u ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim:

Mynyr Koçiu, 63 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 5 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”;

I.T., 60 vjeç, banues në Larushkë, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb