Skip to content

Panik dhe frikë midis banorëve nga zjarri në Shikaj të Kukësit, flakët u afrohen banesave. Të mëdhenj e të vegjël braktisin shtëpitë

Flakët janë përhapur në një rreze shumë të gjerë në afërsi të fshatit Shikaj, Njësia Administrative Malzi, Bashkia Kukës, duke “gllabëruar” çdo lloj bimësie të tharë që u del përpara.

Sipas informacioneve më të fundit, pak para mesnatës së të premtes, vatra e zjarrit ka arritur shumë afër banesave të këtij fshati, gjë që i ka alarmuar së shumti banorët e tij.

Duke mos parë mundësi më të mirë për momentin, banorët kanë zgjedhur të dalin jashtë banesave të tyre, në mënyrë që mos rrezikohen nga flakët.

Më herët, nga informacioni i dhënë nga Drejtori i Emergjencave Civile të Bashkisë Kukës, thuhet se ka një shfaqje vatre zjarri në pyll dushku e shkurre në afërsi të fshatit Shikaj, Njësia Administrative Malzi, Bashkia Kukës.

Si rezultat i këtij zjarri është dëmtuar një sipërfaqe prej 2.5 ha, livadhe disa mullarë me bar e shtylla elektrike.

Nga bashkia Kukës janë angazhuar: Strukturat zjarrfikëse 6, punonjës të Njësisë Administrative 5, nga komuniteti 20 dhe një automjet zjarrfikës.
Strukturat e Policisë vendore Kukës po punojnë për zbardhjen e shkakut të rënies së këtij zjarri.

/faxweb