Skip to content

(EMRAT) Nga 200 euro për kokë për të kaluar kufirin / Ndihmuan 10 emigrantëve të huaj, ‘Kalimtarët’ vë në pranga 5 persona në Elbasan

Elbasan / Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalimtarët”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Operacioni i zhvilluar nga shërbimet e Policisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Elbasan dhe Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Vihen në pranga 5 shtetas.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Elbasan dhe të Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë zhvilluar me sukses operacionin policor “Kalimtarët”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Brahim Rapi, 28 vjeç, Enea Kiptiu, 27 vjeç, të dy banues në Devoll, Jani Demolli, 28 vjeç, Mehdi Gjini, 29 vjeç, dhe Nevruz Allmeta, 23 vjeç, të tre banues në Durrës.

Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë pasi në aksin rrugor Librazhd- Elbasan, në fshatin Mengël, janë kapur duke transportuar 10 shtetas të huaj. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 2 automjete, 5 aparate celular dhe 1 dozë lëndë narkotike kokainë. Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/faxweb