Skip to content

Peleshi bën show me helikopterin që ndërhyn nga ajri në Karaburun, banorët: Veç dy herë hodhi ujë e iku, gadishulli vazhdon në flakë

Situata nga zjarret sipas ministrit të mbrojtjes Niko Peleshi është nën kontroll, me përjashtim të vatrës së zjarrit në Karaburun, e cila vijon të mbetet aktive.

Edhe pse ministri ka publikuar një video në profilin e tij në rrjetet sociale, ku hidhet ujë nga ajri, burime nga banorët e zonës, i thanë gazetares së Fax News Afrovita Hysaj, se helikopteri ka hedhur veç dy herë ujë dhe më pas është larguar.

Nuk dihet nëse helikopteri ka pësuar defekt, pasi dje nga Ministria e Mbrojtjes u tha se mjetet për ndërhyrje nga ajri ishin dërguar për remont.

Zjarri në Karaburun është i përmasave të mëdha, dhe vijon tashmë prej një jave, duke djegur hektarë të tërë me pemë dhe me kullota, dhe duke iu afruar ndjeshëm disa banesave në zonën e Dukatit Fushë, në afërsi të lagjes së quajtur ndryshe edhe ‘Kanali’.

Ndërkohë situata është normalizuar me zjarret në zonën e Përmetit dhe në fushën e djegies së mbetjeve në qytetin e Fierit.

Postimi i Peleshit:

Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit janë vënë në kontroll ose neutralizuar pothuaj të gjitha situatat serioze të zjarrit, sfidë vazhdon të ngelet Karaburuni, ku është përqendruar edhe puna më e madhe e Forcave të Armatosura.

Falenderoj të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të mbrojtjes civile për angazhimin dhe sakrificën e treguar në këto ditë të nxehta, na bëni të gjithëve krenarë!

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb