Presidenti Ilir Meta ka takuar sot ish të dërguarin special të ish-Presidentit të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi dhe ish-ambasadorin amerikan në Prishtinë, Richard Grenell, i cili ndodhet këto ditë në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit tha se mbështet “përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri”.
Meta tha se i ka dhuruar Grenell edhe librin “Albania from the Air” dhe uron që “herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur”.
Postimi i plotë
Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes Ambasadorin Grenell.
Mbështes përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri.
Përpara vizitës të tij në Jug të vendit i dhurova librin “Albania from the Air”, një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare, pasi jam i sigurt se herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur.