

Kryeqyteti i Shqipërisë po (ri)kthehet në vatrën kryesore të Covid në vend. Javët e fundit në Shqipëri ka patur një rritje të rasteve të konfirmuara me koronavirus, teksa kërkesa për tamponë është trefishuar. Sipas epidemiologes Ermelinda Murati, shenjat që po shfaqin më së shumti të prekurit, janë ato të ngjashme me virozat. Epidemiologia shton se shumica e të prekurve i përkasin moshës së re.
“Persona që rezultojnë pozitivë , kryesisht kanë shenja të një viroze. Por ka edhe persona që nuk paraqesin fare shenja. Ato rezultojnë pozitivë sepse kanë qenë në kontakt me persona të ardhur nga jashtë ose persona që rezultojnë të prekur në familjet e tyre.
Le të themi ka patur persona me rinite (rrufë, dhimbje fyti etj), apo gastroenterite (dhimbje stomaku, diarre, të vjella, etj), por që kur i kemi bërë tamponin, kanë rezultuar pozitiv”- thotë epidemiologia.
Të prekur po rezultojnë dhe persona të vaksinuar apo të tjerë që e kanë kaluar më herët sëmundjen. Në shumë raste personat që konfirmohen pozitiv sipas specialistëve të laboratorit të virologjisë janë prekur nga varianti Delta i Covid.
“Më tepër janë persona që nuk e kanë kaluar Covid, nuk janë të vaksinuar, por nuk përjashtohen edhe rastet kur pozitivë kanë rezultuar edhe persona që kanë qenë të vaksinuar. Personat që janë vaksinuar zakonisht kanë shfaqur shenja minimale”, tha më tej Murati.
99 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri, në Kosovë 221
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë kryer 3,599 testime prej të cilave 99 kanë rezultuar pozitive me Covid. Në Kosovë ndërkohë shifrat janë edhe më të larta. Në 24 orët e fundit janë kryer 3.160 testime prej të cilave pozitive rezultuan 221. Po në Kosovë, një pacient ka ndërruar jetë për shkak të Covid.
Në Shqipëri numri më i lartë i rasteve të reja regjistrohet në Tiranë, me 26 raste e më tutje në: 12 raste në Elbasan, 8 raste Vau i Dejës, 7 raste në Shkodër, Kuçovë, 5 raste në Vlorë, 4 raste në Durrës, Berat, Kamëz, Malësi e Madhe, 3 raste në Krujë, 2 raste në Fier, Kavaj, Lushnje, Dimal, Sarandë, 1 rast në Korçë, Lezhë, Librazhd, Konispol, Gjirokastër.
