Gazetarja e Fax News për qytetin e Vlorës, Afrovita Hysaj ka denoncuar ditën e sotme kushtet e vështira të banorëve të fshatit Gjorm, ku ndodhej ditën e sotme për të raportuar mbi zjarrin e rënë në këtë zonë.
Gazetarja tregon me anë të një video vështirësitë me të cilat përballen banorët e fshatit Gjorm, të cilët për të shkuar në qendër të fshatit ku është dhe shkolla i duhet të kalojnë mes përmes lumit ose të hipin mbi një urë të vjetër në kushtë mizerabël .
Për ta bërë më të qartë për publikun, gazetarja Hysaj së bashku me kolegët e saj i janë futur lumit në këmbë, si edhe kanë kaluar mbi urën e vjetër. Në një moment gazetarja dëgjohet t’i thotë kolegut: “Këtu kalojnë banorët, aty kujdes. Ec, ec. Aty bëj kujdes!”.
Postimi i Afrovita Hysajt:
Nuk do flas fare për dëmet që u shkaktuan në Neshtë të Gjormit nga zjarri, dëme që edhe mund të shmangeshin nëse Selenica do kishte disa automjete zjarrfikësje.
Më poshtë keni një vidio amatore të bërë nga ne gazetarët (Jerola, Mikeli, Armandi, Enriko dhe unë) që kaluam lumin sot për të parë nga afër dëmet në fshat.
Atëher!
Në Neshtë jetojnë rreth 10 familje (disa familje autoktone të fshatit dhe disa të ardhura nga Dibra), jetojnë e punojnë me blegtori në atë zonë.
Nga këto familje janë 7 fëmijë (ndoshta edhe më shumë) që shkollën e bëjnë në qendër të fshatit Gjorm.
Këta fëmijë, këto gra, këta burra që jetojnë mes stërmundimeve të fshatit, kanë vetëm dy rrugë për të vajtur në shtëpi.
Ose të kalojnë lumin Shushica (sic me fat e kaluam edhe ne, normal në këtë kohë ka pak ujë), ose të kalojnë nga kjo pacarelë e shekullit xixë.
Unë, bashkë me kolegun Mikel Marsi sot vendosëm të provonim të kalonim këtë urë, për të kursyer kohë por edhe për ta provuar atë cfarë këta banorë provojnë cdo ditë.
Ishte e tmerrshme, të shkelësh dhe ti besosh jetën disa dërrasave gjysmë të kalbura dhe disa llamarinave të vendosura rishtaz. Mes llamarinave gjeje tepsi, e lloj lloj improvizimi.
E tmerrshme…
Jetën ia lënë në dorë fatit dhe rastësisë cdo ditë, banorët e Neshtës që sot i’u dogj cfarë patën kursyer e punuar prej vitesh.
Fëmijët e këtyre banorëve kalojnë këtë urë për të shkuar në shkollë… në vitin 2021, kur Shqipëria pretendon zhvillimin më kolosal që ka përjetuar që pas tranzicionit.
Sa keq…
Jo më kot zjarrfikësit nuk kaluan dot për të fikur zjarrin, tek e fundit nga të kalonin?
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
