Militantët talibanë, të cilët kanë bërë avancime së fundmi në Afganistan, marshuan në të paktën tre kryeqytete të tjera provinciale në veri të vendit një ditë pasi morën kontrollin në Sheberghan, kryeqytetin e provincës Jawzjan, konfirmuan zyrtarët.
Raportimet nga frontet e luftës thonë që grupe të shumta të talibanëve kanë sulmuar qytetet Sar-e-Pul, Taluqan dhe Kunduz, qendrat e provincave Sar-e-Pul, Takhar dhe Kunduz, duke u përfshirë në përplasje vdekjeprurëse me Mbrojtjen Kombëtare Afgane dhe forcat e sigurisë, si dhe milicitë lokale proqeveritare.
Në një seri postimesh në Twitter, zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahed pohoi të kenë marrë kontrollin në të tri qytetet.
Talibanët gjithashtu dënuan sulmet e fundit ajrore të kryera nga forcat afgane dhe bombarduesit amerikanë B52 kundër talibanëve që përparonin në Sheberghan dhe Lashkargah në provincën Helmand.
“Emirati Islamik (talibanët) dënon fuqishëm bombardimet brutale të civilëve, infrastrukturës civile dhe vendeve publike dhe i konsideron këto incidente si një shembull të mirë që i tregon botës ‘fytyrën e egër të Amerikës’”, thanë talibanët në një deklaratë.
Duke konfirmuar sulmet e talibanëve në Sar-e-Pul, një parlamentar lokal, Hamidullah Baik, tha për AA se militantët kanë kapur zyrën e guvernatorit, burgjet kryesore, si dhe ndërtesa të tjera qeveritare.
Ministria afgane e Mbrojtjes, nga ana tjetër, pohoi të kenë shkaktuar viktima të rënda në mesin e militantëve talibanë, pakistanezë dhe të Al-Kaedës.
“572 terroristë talibanë u vranë dhe 309 të tjerë u plagosën si rezultat i operacioneve nga ANDSF (Forcat e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare Afgane) në Nangarhar, Laghman, Ghazni, Paktia, Paktika, Kandahar, Uruzgan, Herat, Farah, Jowzjan, Sar-e Pol, Faryab, Helmand, Nimruz, Takhar, Kunduz, Badakhshan dhe Kapisa gjatë 24 orëve të fundit”, tha në Twitter Ministria e Mbrojtjes.
Pasi morën mbi 200 rrethe rurale muajin e kaluar, talibanët filluan sulme në qytetet kryesore, duke marshuar në Herat, Kandahar, Taluqan dhe Lashkargah dhe duke shkaktuar panik dhe ankth në mesin e miliona civilëve.
