Skip to content

Inatin e kanë me Edi Ramën, jo me Bregoviç

Prej disa ditësh, në Shqipëri e Kosovë janë duke u “përleshur” për pjesmarrjen e këngëtarit serb Bregoviç, në një festival birre në Korçë.

Debati ka tejkaluar logjikën dhe po përpiqet të nxisë jo vetëm ndarje, por dhe urrejtje mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Dhe kjo, për shkak të inatit që kanë me Edi Ramën.

Këtë gjë e kanë shprehur fare qartë ata analistë në Tiranë që urrejnë Ramën dhe janë idhtarë të Albin Kurtit, si fjala vjen Andi Bushati apo Andi Bejtja.

“Po e them pa asnjë kompleks. Unë kam qenë një nga spektatorët e Pallatit të Kongreseve kur Goran Bregoviç mbajti koncert në Tiranë. Ndonëse nuk i përkas asaj pjese të bashkëmoshatarëve të mi, që në vitet e fundit të komunizmit në Shqipëri çmendeshin për Bijelo Dugme, megjithëse i dija qëndrimet e këtij jugo nostalgjiku për bombardimet e Natos dhe faktin se kurrë nuk pati guxuar të dënojë krimet në Kosovë, kjo nuk më pengoi të shkoja drejt asaj salle.

E bëra këtë pa asnjë ndjenjë faji: po ashtu siç nuk do paragjykoja një francez me origjinë hebreje që zgjedh të lexojë romanet e mrekullueshme të Celine, po ashtu sikurse nuk do e shihja shtrembër një amerikan, gjyshërit e të cilit kanë zbarkuar për të çliruar kontinentin e vjetër, të shijonte poezitë e Ezra Pound, po ashtu siç nuk do paragjykoja një shtëpi botuese shqiptare, që vendos të përkthejë librat e nobelistit Peter Handke”, shkruan Andi Bushati, që del hapur pastaj, duke thënë se nuk i intereson nëse çfarë këndon e kujt i këndon Bgregoviç, por është kundër tij prej Ramës dhe marrëdhënies së tij me Vuçiç.

“Dhe sot kemi mbëritur në pikën kur debati rreth koncertit të Bregoviçit në Korçë po shërben si ndihmesa me sfond kulturor për marëdhënien okulte politike mes Ramës dhe Vuçiçit.

Pikërisht për këtë ai duhet bojkotuar.

Jo për faktin se meloditë e autorit të “Kallashnikov-it” frymëzuan për krime çetnikët serbë, por sepse fabula e tij po përdoret sot, që Tirana dhe Beogradi të projektojnë politika të së nesërmes, që ngrihen mbi fshirjen e kujtesës”, shkruan ai.

Më i qartë nga këta është Berat Buzhala, që me një status të tijin pas zjarrve në Kalimash, përpiqet të nxistë frymën e urrejtjes, duke thënë se Rama falenderon vetëm serbët dhe jo kosovarët.

“Qysh tha ne Shkup ne Ballkanin e Hapur: Forcat serbe ishin te parat qe na erdhen ne ndihme kur ndodhi termeti.

Ne takimin e radhes garant ka me thane qe zjarrfikesit nga Serbia ishin te paret qe erdhen ne Kukes per te na ndihmuar per te fikur zjarrin mbi tunelin e Kalimashit.

Shume nacionaliste primitive keta te Kosoves. Si ta shohin nje problem pertej kufirit, yrysh me shku me ndihmu.

Sido qe te jete, po shpresoj qe nuk bllokohen rruget per ne Shqiperi, se paku deri pas mbrritjes se Bregovicit ne Korce. Nuk ka kuptim jeta pa ate koncert”, shkruan Buzhala, që duke u përpjekur të bëjë ironi, veçse tregon se me, apo pa qëllim, është duke shërbyer për të nxitur një ndarje të thellë mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

(TemA)