Një skandal i vërtetë ka ndodhur me mbetjet urbane në Krujë, ku plehrat depozitohen në afërsi të fshatit Halilaj, në liqenin e fshatit. Janë rreth 1 mijë banorë që jetojnë pranë kodrës së krijuar nga mbetjet , që vuajnë çdo ditë pasojat e keqadminsitrimit të situatës së plehrave, ndërsa shprehen se askush nuk ka dëgjuar ankesat e tyre.
Në këtë grumbull mbetjesh që herë pas here digjen, duke shkaktuar një krim mjedisor në të gjhithë zonën, mund të gjesh edhe mbetje kafshësh të therura, që mund të përhapin dhe sëmundje të ndryshme, ndërsa Bashkia e Krujës nuk ka ende një reagim zyrtar për shqetësimin e banorëve.
Në komunikimet me Fax News, banorët e zonës kërkojnë që mbetetjet të depozitohen në një vend tjetër, pasi po detyrohen që të braktisin shtëpitë e tyre nga era e keqe dhe tymi që pushton hera herës të gjithë zonën.
“Unë kam 20 vite që jetoj këtu, digjen me raste, kur bëhen shumë i djegin dhe i mbulojnë me dhe, një orë dy orë i djegin, vjet kanë qenë edhe më keq, se i linin të digjeshin me orë të tëra. I kanë vënë flakën dhe kur i vinte fundi në shtator, fëmijët nuk më janë sëmurur prej tymit”, shprehet një prej banorëve.
Ndërkohë që një zonjë tregon: Ne na mbyti tymi, vallai natë për natë ndodh, nuk hedhim dot rrobat në tel, nuk hapim dot penxheret se është tym shumë i madh. Nuk na ka ardhur askush në derë të shtëpisë, duhet të zgjidhet kjo punë mo. Jemi 1 mijë banorë këtu, është lagje e madhe kjo. Faleminderit dhe ishalla na zgjidhni problemin.
“Nuk kemi ujë, mbetjet po, as infermiere nuk kemi. Mbeturinat kështu kanë qenë gjithmonë, ça të them unë, sdo mend që duam që të na i heqin mbetjet. Na bëhen mushkëritë blozë nga sëmundjet”, tregon një e moshuar.
Fax News ka siguruar ndërkohë dhe letrën që administratori i Fushë Krujës Xhemal Xhixha, i ka dërguar kryetarit të Bashkisë së Krujës Artur Bushi, ku i shpreh shqetësimin e banorëve të fshatit Halilaj, të cilët kërkojnë që t’i jepet fund situatës së mbetjeve, dhe veçanërisht djegies së pakontrolluar të tyre.
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb
