Skip to content

Talibanët presin ‘transferim paqësor të pushtetit’ në Afganistan

Suhail Shaheen, një zëdhënës i talibanëve, tha se ata presin një transferim paqësor të pushtetit në Afganistan.

Shaheen foli për kanalin britanik BBC për situatën aktuale në Afganistan dhe politikën që do të ndjekin talibanët.

I pyetur për politikën e talibanëve për gratë dhe vajzat, Shaheen tha: “Ne do të respektojmë të drejtat e grave. Politika është që gratë të kenë qasje në arsim dhe punësim. Ata do t’i kushtojnë vëmendje shamisë, kjo është e gjitha. Burka nuk është shamia e vetme, ka mundësi të tjera”, bëri një deklaratë.

Ai shtoi se gratë gjithashtu do të lejohen të dalin vetëm nga shtëpia.

Zëdhënësi i talibanëve deklaroi se ata i sigurojnë njerëzit se prona dhe jeta e tyre është e sigurt, veçanërisht në Kabul.

“Ne presim një transferim paqësor të pushtetit. Qyteti dhe fuqia duhet t’i jepen Emiratit Islamik të Afganistanit. Më pas në të ardhmen do të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse islame afgane me pjesëmarrjen e të gjithë afganëve”, tha ai.

Lidhur me njerëzit afganë që janë larguar nga Afganistani, Shaheen tha: “Askush nuk duhet të largohet nga vendi. Ne kemi nevojë për të gjitha aftësitë dhe kapacitetet, të gjithë ne duhet të qëndrojmë dhe të marrim pjesë në vend”.

Shaheen po ashtu tha se në Afganistan do të ketë media të lirë “e cila mund t’i kritikojë të gjithë”.

Ndryshe, talibanët tashmë kanë marrë kontrollin në të gjitha qendrat e mëdha provinciale dhe pikat kufitare të Afganistanit, si dhe kanë arritur deri në pjesët periferike të kryeqytetit Kabul, të cilin, siç janë shprehur, nuk synojnë ta marrin me luftë.