Policia ka përcjellë njoftim zyrtar në lidhje me aksidentin tragjik që ndodhi këtë të enjte në Qafën e Muzinës, ku mbetën të vdekur 5 persona.
Furgoni është përplasur me një mjet fuoristradë, i cili drejtohej nga një vajzë në moshë të re. Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar dinamikën e aksidentit, por dyshohet se mjeti fuoristradë ka qenë me shpejtësi dhe ka bërë një parakalim të gabuar. Drejtuesi i furgonit ka tentuar të shmangë automjetin. Mes makinave ka patur një përplasje të tërthortë, ndërsa furgoni më tutje ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi prej afro 20 metrash.
Në furgonin e pasagjerëve ndodheshin 5 pasagjerë, 4 prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Dy prej tyre janë shtetas të huaj, një 48 vjeçare dhe një 53 vjeçar, të dy nga Ukraina.
Dy prej viktimave të tjera, janë një çift të moshuarish dhe viktima e pestë është shoferi i furgonit, 51 vjeçar dhe babai i tre fëmijëve.
Në automjetin që ra nga një lartësi prej disa metrash ndodhej dhe një 25 vjeçare, e cila ka shpëtuar mrekullisht.
Ndërkohë në makinën tjetër, e drejtuar nga vajza 22 vjeçe, ndodheshin po ashtu dhe dy pasagjere, të dyja banuese në Itali.
Njoftimi i policisë:
Informacion shtesë mbi aksidentin e ndodhur në rugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, ku në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P., 51 vjeç banues në Sarandë.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit shtetasi B. P., pasagjerët F. K., 77 vjeç, banues në Tiranë, D. K., 72 vjeçe, banuese në Tiranë,
T.F., 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe O. F., 53 vjeç, banues në Ukrainë.
Gjithashtu kanë mbetur të dëmtuara shtetaset G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë(pasagjere në mjetin tip furgon), R. Ç.(drejtuese Land Rover), A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali(pasagjere në Land Rover).
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
