Në një darkë ku ishin të pranishëm deputetë të rinj e të vjetër, përveç falenderimeve për ata që nuk do të jenë më në parlament në mandatin e 3 qeverisës, kryeministri Edi Rama prezantoi disa prej objektivave kryesore për 4 vitet e ardhshme:
“Tani nis njëkohësisht, në tre hapësirat e detyrave tona, puna e madhe për dy fitore të tjera, shumë të rëndësishme, zgjedhjet vendore të 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të 2025. Çfarë do të mbledhim përditë nga sot e deri atëherë, do të korrim në ditën kur populli do të ndajë të njomët nga të thatët.
Ashtu siç ishte fitorja e këtyre zgjedhjeve, ajo më e vështira sipas meje, ashtu dhe mandati i tretë do të jetë më i vështiri në aspektin e arritjes së rikonfirmit të PS, si forcë qeverisëse 4 vjet nga sot. Por më shumë se kaq. Mandati i tretë do të jetë një sfidë shumë e madhe në vetvete.
Sepse nëse në të parin e nxorëm Shqipërinë nga gropa ku e zhytën rivalët tanë, në të dytin vumë themele të qëndrueshme rritjeje në çdo sektor, ky i treti do të jetë mandati i ngjitjes më lart, drejt asaj maje ku e duam Shqipërinë në fund të kësaj dekade”, tha ai.
Rama ishte i prerë me socialistët, kur tha se “duhet të jetë e qartë për të gjithë anëtarësinë, por edhe për të gjithë ata që na kanë zgjedhur apo jo, se kushdo që e ka në ballë PS dhe ekspozohet para drejtësisë si përfitues, faji është i tij, por turpi është i gjithëve ne nëse nuk vendosim vijën e kuqe duke mos harruar për asnjë çast dhe duke bërë me dije menjëherë kur është nevoja se kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha, as mburoja e askujt.
Kjo familje nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi flamurin e saj, por mban përgjegjësi për sa drejt reagon ndaj individit në fjalë duke u distancuar prej aktit të tij dhe atij vetë kur në mes hyn vetë drejtësia“.
