Skip to content

Situata e vështirë në Afganistan pas marrjes së pushtetit nga talibanët, ky shtet rri gati në pritje për të përfituar

Pas marrjes së kontrollit të Aganistanit nga talebanët, Rusia po hedh një vështrim të kujdesshëm drejt jugut për të parë se si mund të përfitojë nga një situatë e mbushur me mundësi dhe rrezik.

Edhe pse zyrtarisht i etiketon talebanët si një organizatë terroriste, Rusia ka vite që është e angazhuar me udhëheqësit e saj, madje i ka ftuar ata në Moskë.

Ndërsa vendet perëndimore e shikojnë me ankth largimin e Shteteve të Bshkuara dhe NATO-s, Moska ka patur një ton më të butë. I dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, foli në Këshillin e Sigurimit një ditë pasi talebanët morën Kabulin.

“Aktualisht, ne besojmë se nuk ka kuptim të ketë panik. Gjëja kryesore është se është shmangur një gjakderdhje e gjerë mes civilëve. U bëjmë thirrje të gjitha palëve afgane që të përmbahen nga armiqësitë dhe të nxisin një zgjidhje paqësore”.

Moska ndërhyri në Afganistan në vitin 1979. Trupat e saj e pushtuan atë vend për të mbështetur një qeveri komuniste, që luftonte kundër rebelëve islamikë, të njohur si muxhahedinë.

Ndërhyrja, që supozohej të ishte një operacion i shpejtë ushtarak, zgjati gati një dekadë. Menjëherë pas tërheqjes sovjetike, regjimi komunist u rrëzua. Aktualisht Moska po mban një qëndrim më pragmatist.

Mark Simakovsky, analist në Këshillin e Atlantikut, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Moska është shumë e etur për të përfituar nga boshllëku i krijuar dhe është në terren. Ata nuk do ta tërheqin ambasadën e tyre. Besoj se ka mundësi që do të jetë ndër vendet e para që do të njohë talebanët, megjithëse mendoj se jemi shumë larg kësaj.”

Rusia është gjithashtu e prirur të parandalojë eksportin e ekstremistëve dhe luftëtarëve islamikë në Azinë Qendrore. Moska shpreson se talebanët do të frenojnë futjen e drogës në rajonin e saj.

Ndërkohë, tërheqja amerikane ka qenë një dhuratë për propagandën e Moskës, thotë për Zërin e Amerikës analisti Mark Simakovsky me Këshillin e Atlantikut.

“Për Rusinë, Afganistani ka rëndësi në arenën ndërkombëtare si një shfaqje e dobësisë së Shteteve të Bashkuara. Por kjo sherben edhe si pikë orientimi për Rusinë dhe shembull i përpjekjeve të saj në vende si Ukraina, Venezuela apo gjetkë.”

Moska duket se shpreson të mbushë vakumin e krijuar nga largimi i Shteteve të Bashkuara për të rritur ndikimin e saj rajonal.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb