Ndërsa pritej mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, në media kanë qarkulluar disa emra, të cilët pretendohej se do të ishin pjesë e kabinetit “Rama 3”.
Televizioni Kombëtar Top Channel, publikoi ditën e djeshme disa emra për të cilët raportonte se do të ishin pjesë e kabinetit qeverisës.
Në lajmin e publikuar përmendeshin emra si Megi Fino, vajza e ish-deputetit të ndjerë Bashkim Fino, apo Adea Meidani, vajza e ish-presidentit Rexhep Meidani, për të cilën thuhej se Rama do ta bënte ministre të Ekonomisë.
“Megi Fino, vajza e deputetit të ndjerë Bashkim Fino aktualisht zëvendës ministre e Punëve të Jashtme, mund të jetë një prej prurjeve të reja nga Edi Rama në skuadrën e tij qeverisëse.
Adea Meidani, vajza e ish presidentit socialist, Rexhep Meidani e shkolluar në Paris me një eksperiencë pune në Londër e specializuar për taksat ndërkombëtare, shihet si një kandidate potenciale nga Edi Rama, për t’i besuar drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë gjithnjë nëse do t’i shkojë skenarit të ndarjes të Ministrisë së Financave nga Ekonomia.
Ekziston mundësia i tha një burim Top Channel e ristrukturimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke e kaluar Integrimin si ministri më vete.
Kandidati më potencial për ta drejtuar është diplomati i karrierës, Zef Mazi aktualisht krye-negociator i Shqipërisë me Bashkimin Europian.”-shkruante dje Top Channel.
Por, Rama i ka surprizuar, dhe emrat që përmend një ndër mediat më afër qeverisë, në fakt nuk janë pjesë e kabinetit “Rama 3”.
