Skip to content

Pse Rama nuk e bëri ministër edhe pse ishte deputeti më i votuar në Shqipëri? Flet për herë të parë Balla, pasi e hoqën dhe nga Elbasani

Askush prej gazetarëve nuk e besonte dot Taulant Ballën, teksa po fliste pas mbledhjes së Asamblesë, kur për të tretën herë me radhë gjatë qeverisjes së Ramës e gjen veten jashtë kabinetit.

Edhe pse vetë Balla tha se ishte besim i madh që do të drejtonte grupin parlamentar, gazetarët insistuan ta pyesnin atë në lidhje me arsyet që e lënë jashtë një posti ministror.

Balla do të jetë përveç drejtues i grupit parlamentar edhe drejtues politik në qarkun e Fierit, detyrë për të cilën tha se ishte shumë e rëndësishme pasi do të zëvendësojë një figurë me peshë si ajo e Gramoz Ruçit.

Balla e gjen veten dhe jashtë postit të sekretarit të përgjithshëm të PS-së, ku njësoj si drejtimin e Elbasanit postin ia mori Damian Gjiknuri.

“Unë nuk e mendoj që të jesh kreu i grupit të mazhorancës nuk është pozicion i rëndësishëm politik, dhe të drejtosh qarkun e dytë më të madh në vend, nuk është pozicion i rëndësishëm politik.

Meqënëse unë jam deputet i Elbasanit, ku gjej rastin që të falenderoj 90 mijë votuesit e Elbasanit, i falenderoj një për një, falenderoj dhe ata që nuk na votuan, por koha do të tregojë që vota është për të ardhmen e vendit.

Unë nuk e fsheh se PS është një parti shumë mirë e organizuar, ama e mira nuk ka fund. Unë ju thashë që kryetari i shumicës parlamentare është përgjegjësi e dytë pas kryeministrit, në administrimin e duhur të besimit që na kanë dhënë shqiptarët. Janë një grup deputetesh që duhet të ruajnë një rol më aktiv, unë nuk shoh në këtë vendim asnjë shmangie nga ajo që unë kam dëshirë të bëj.

Prej ditës së parë kur jam zgjedhur deputet, kam thënë që do të jem zëri i tyre që kanë votuar për mua, rezultatet kanë qenë në rritje të vazhdueshme.

Unë do të mërzitesha me zotin Rama, nëse qarku i Elbasanit nuk merr investimet që i takojnë. Elbasani duhet të jetë në mbështetjen e parë të qeverisë, ky është roli i deputetëve në çdo vend të botës.

Unë do të jem mes Elbasanit dhe Fierit. Të dielën ju pres në Elbasan, pasi luan kombëtarja, ju siguroj që në Elbasan nuk bie tërmet kështu që iu pres të gjithëve”, tha Balla pas mbledhjes së Asamblesë.

Në vendin e Ballës në Elbasan është vendosur Damian Gjiknuri, të cilit i adresohet edhe fjala tërmet në fund të bisedimit të socialistit me gazetarët.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb