Taulant Balla rezultoi si deputeti më i votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së PS, nuk mori asnjë detyrë ministrore.
Taulant Balla do të vijojë të mbajë vetëm detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të PS, pasi kryeministri Rama i hoqi detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të partisë.
Rama thotë se për shkak të shtimit të punëve dhe objektivave brenda partisë, është dashur që këto dy funksione të kryhen nga dy udhëheqës:
“Taulanti është kryetari i grupit parlamentar të PS. Është një detyrë që ka ngarkesë të madhe dhe ashtu siç duhet bërë gjatë këtij mandati do ketë dhe ngarkesë më të madh.
E treta lidhet me faktin që kemi një objektiv të ri për partinë, transformimi i partive politike. Partitë politike shqiptare nuk mund të vazhdojnë kështu.
Na duhet një sekretar i Përgjithshëm që të jetë non stop i angazhuar këtu. Është rritur shumë volumi i punës për këto dy pozicione”.
Ndërsa i pyetur për “senatorët” e Partisë Socialiste që shumica e tyre u lanë jashtë qeverisë, Rama tha se në poste ministrore janë vendosur ata persona që në këtë moment konsiderohen të duhurit:
“Përsa i përket senatorëve, nuk ka senatorë dhe nuk kategori të tilla. Këto janë kategori gazetareske. Në skuadrën e qeverisë janë vendosur njerëzit që sipas meje janë të duhurit në këtë moment për të bërë punën e duhur”.
